“Trazovaçi” Nikola Jokiç është sërish lojtari numër 1 në NBA

Erdhi nga Serbia, një vend i vogël në krahasim me SHBA-në, ndërsa nuk luajti as për Partizanin apo Crvena Zvezdën e Beogradit, po ashtu as për ekipe të mëdhenj të Europës. Nikola Jokiç erdhi direkt nga Mega në NBA, ku Denveri po “ia sheh hajrin”. Basketbollisti shtatlartë (2.11 metra) u shpall vjet lojtari më i mirë i sezonit të rregullt, dhe po ashtu këtë vit mbetet më i miri. Vlerësimi i tij në faqen zyrtare të NBA-së është 37.5, shumë më lart sesa 32.1 që ka Janis Adetokumbo, kampioni në fuqi me Miluokin. Kevin Duranti mbetet i treti me 30.5, ndërsa Entoni Dejvis, Stefën Kërri, Trej Jang apo Luka Donçiç janë më prapa. Jokiç ka 26.5 pikë për ndeshje, ka 13.8 topa në tabela për ndeshje duke qenë më i miri në këtë element, si dhe 7.3 asiste për ndeshje, diçka e jashtëzakonshme për një lojtar kaq shtatlartë. Denveri nuk është aq mirë në renditje, por kjo për probleme dëmtimesh apo për shkak të nervave që e kanë bërë Jokiçin që të përjashtohet disa herë.

Sfidanti.al