Aguero i përlotur: Ju njoftoj se nuk do të luaj më futboll!

Largimi do të vinte një ditë, por nuk pritej tani dhe as kështu. Kun Aguero u detyrua të lajmëronte me lot në sy se do të ndërpriste karrierën si futbollist, dhe këtë gjë e bëri në një konferencë për shtyp në Barcelonë, ku ishin të pranishëm edhe emra të njohur si Pep Guardiola. “Kjo konferencë është për t’iu njoftuar se unë nuk do të luaj më futboll, – tha sulmuesi argjentinas, që u diagnostikua me probleme në zemër, – një moment shumë i vështirë, vendimin e mora për të mbrojtur shëndetin tim. E vendosa një javë më parë, por prita me shpresën se mos ndryshonte gjë. Ishte e pamundur. Jam i lumtur për karrierën time, realizova ëndrrën për të luajtur futboll”. Nga të gjitha anët pati mesazhe mbështetjeje, nxitjeje dhe vlerësimi, me në krye Lionel Mesin dhe kombëtaren e Argjentinës. Aguero luajti për Independienten, Atletikon e Madridit Mançester Sitin dhe Barcelonën, si dhe për Argjentinën. Ai pati në total 786 ndeshje dhe shënoi 427 gola.

Sfidanti.al