Adetokumbo i bën vetes dhuratë 27 pikë për ditëlindje

Mbushi 27 vjeç dhe e festoi me fitore si dhe duke shënuar po aq pikë sa ka vite jete. Janis Adetokumbo u kthye për Miluokin pasi mungoi për dy ndeshje dhe ndihmoi ekipin që të fitonte ndeshjen e radhës. Ishte një 112-104 ndaj Klivlendit arritur në shtëpi, dhe Adetokumbo pati edhe 12 topa në tabela si dhe realizoi të treja gjuajtjet për tri pikë që provoi. Kjo ishte fitorja e 10-të në 11 ndeshjet e fundit për kampionen në fuqi të NBA-së që është kthyer fuqishëm në garë në sezonin e rregullt, ndonëse Bruklini e Çikago janë mbi të në renditjen e Lindjes. “Jemi në formë shumë të mirë, – tha Janisi, – ne po luajmë si skuadër dhe kemi besim në vetvete. Ne po luftojmë bashkë edhe në mbrojtje”. Adetokumbo u duk mjaft mirë edhe në gjuajtjet e lira, ku më përpara ka pasur probleme duke realizuar 6 nga 7 të tilla.

Sfidanti.al