Skandali në Kolumbi, një gol i falur vendos ngjitjen e ekipit në Superligë!

Ishte java e fundit dhe përcaktuese. Në kategorinë Primera B të Kolumbisë, do të vendosej se cilët ekipe do të ngjiteshin në elitë, dhe pikërisht në fund ndodhi diçka që po cilësohet skandal. Lojtarët e Unionit të Magdalenës, që po humbisnin 0-1, shënuan dy gola në dy minutat përmbyllëse të ndeshjes në fushën e Janerosit. Sidomos, i rëndë goli i fitores realizuar nga Zhonatan Segura në minutën e 96-të, kur mbrojtësit dhe portieri vendas ishin krejtësisht të painteresuar për atë që po ndodhte. Kjo fitore bëri që Union Magdalena të ngjitej në Primera Divizion, në dëm të ekipit të Fortalezës që humbi po 1-2 ndaj Bogotës.

Lojtarët e të dy ekipeve, sidomos ata vendas, u ofenduan dhe u kërcënuan nga tifozët në stadium, ndërsa provuan të dilnin nga fusha në fund të ndeshjes. Ylli i futbollit kolumbian, lojtari i Juventusit Huan Kuadrado, reagoi në rrjetet sociale duke akuzuar mënyrën sesi u shënua goli, që e quajti një turp për Kolumbinë, një mungesë respekti për futbollin. Shoqata e Futbollistëve Profesionistë e vendit kërkoi që Komisioni i Disiplinës të hetojë ndeshjen dhe të marrë masa.

Nelson Flores, trajneri i Fortalesës, nuk i mbajti dot lotët në konferencën për shtyp pas ndeshjes.  “Nuk turpërohem që qaj sepse ndihem i vjedhur”, – mezi mundi të thoshte ai. Fortaleza humbi 1-2 me Bogotën, por sërish do të ishte ngjitur në elitë nëse Union Magdalena nuk do të kishte shënuar golin e fitores, që shkaktoi këtë skandal.

Sfidanti.al