Nuk ka ekip më të lumtur sesa Liverpuli që Kupa e Afrikës përfundoi. Trajneri Jurgen Klop një sy e mbante në Gabon dhe tjetrin në fushë për të ndjekur skuadrën e tij, ndërsa priste që t’i kthehej ai që ka nisur të bëhet lojtari vendimtar në formacion. Sadio Mane, më në fund e preu biletën e kthimit për në Angli, dhe Klop u ndje i lehtësuar.
Sulmuesi nga Senegali ishte katalizatori dhe përfunduesi i gjithçkaje në fitoren e madhe ndaj Totenhemit, që entuziazmoi mbi 53 000 tifozët në “Anfild”, dhe lejoi që të kuqtë të ishin të paktën pretendentë serioz për të shkuar në Ligën e Kampionëve. Mane realizoi të dy golat, madje që në pjesën e parë, dhe me një distancë kohore nga njëri-tjetri vetëm 2 minuta e 15 sekonda. Mbrojtja shumë e fortë e Spërsave, më e mira e Premier Ligës, nuk mundi ta përballonte dot.
Pavarësisht nga Mane, Liverpuli është një kontradiktë e gjallë në kampionatin anglez. Skuadra e Klopit lë pikë me ekipe inferiorë si Plimuthi, Suonsi, Sauthemptoni apo Uolvesi, por është “i tmerrshëm” në ndeshjet e mëdha. Katër pikë të marra Çelsit, po katër Totenhemit, dy barazime me Man. Junajtidin, një fitore në një ndeshje me Man. Sitin, si dhe sukses 4-3 në fushën e Arsenalit. Liverpuli ka talent dhe karakter, por ende i mungon stoli si dhe përvoja. Klopit i duhen më shumë para dhe më shumë kohë në dispozicion.