Interi ka tri fitore radhazi dhe trajneri Inzagi lumturon: Shkojmë larg!

Nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme, me vërtetë nuk mund të quhet e tillë. Gjithsesi, një skuadër që e nisi keq sezonin është tani “në fluturim” në Serinë A, dhe Interi duket se ka ndryshuar shumë që nga disfata e pësuar me Lacion në kryeqytet. Fitorja 2-0 ndaj Specias në të ftohtin e “San Siros” ishte një provë se zikaltërit janë një skuadër e fortë si guri, e bashkuar dhe që luan mirë futboll. Galiardini dhe Lautaro Martinez shënuan golat, ky i fundit me penallti pasi ia mori topin Çalhanoglusë, ndërsa Specia u duk se po mendonte më shumë për ndeshjen e së dielës ndaj Sasuolos.

Në këtë këndvështrim, fitorja e Interit do të vendoset në provë nga dy ndeshjet e radhës, ndaj Romës në “Olimpiko” dhe Realit në Madrid në Champions. Në fushë për Specian ishte sulmuesi i kombëtares shqiptare, Rej Manaj, që ka qenë lojtar i Interit, ashtu si edhe sulmuesi tjetër Salsedo. “Skuadra e luajti ndeshjen me mentalitetin e duhur që nga fillimi, – tha trajneri Inzagi, – duhet të vazhdojmë kështu sepse vërtet jemi duke fluturuar. Mund të shkojmë larg. Kisha 4 mbrojtës jashtë, por të gjithë luajtën siç duhet”.

Sfidanti.al