Broja, Gjimshiti e Hysaj janë “maratonomakët” shqiptarë në Europë!

Fundjava kaloi, por intensiteti nuk bie. Ngarkesa është e madhe për futbollistët shqiptarë që luajnë në Europë, por shumë prej tyre pritet të jenë sërish në fushë që nga minuta e parë. Armando Broja, sipas mediave angleze, do ta ketë edhe një herë besimin e trajnerit për ndeshjen e nesërme në Premier Ligën angleze ndaj Leisterit në shtëpi. Sulmuesi 20-vjeçar shqiptar ishte më i rrezikshmi dhe më i miri për Sauthemptonin në ndeshjen e humbur 0-4 në fushën e Liverpulit, por trajneri Hazenhytel mendon se ai nuk është i lodhur.

Edhe Berat Gjimshiti nuk cilësohet aspak i lodhur. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, autor i asistit në fitoren e Atalantës në stadiumin e Juventusit, sipas të gjitha gjasave do të jetë titullar sot në orën 18:30, në ndeshjen në Bergamo ndaj Venecias. Kërkohet fitorja për të ruajtur pozitat në zonën Champions, pse jo edhe për të pretenduar titullin në Serinë A. Elseid Hysaj mbetet një lojtar besnik i trajnerit të Lacios, Mauricio Sarri. Mbrojtësi shkodrant do të jetë sërish titullar, pak ditë pas humbjes së rëndë 0-4 në fushën e Napolit, ndërsa Lacio pret Udinezen të enjten. Më pak fat, ndërkaq, për Marash Kumbullën apo Rej Manajn, që mendohet ta nisin nga stoli, përkatësisht për Romën dhe Specian.

Sfidanti.al