Kur fiton në fushën e rekordmenëve të titujve, padyshim bëhesh me krahë. Kështu edhe Atalanta që ndoqi suksesin 1-0 në Torino ndaj Juventusit me triumfin 4-0 në shtëpi kundër Venecias. Pashaliç shënoi në minutat 7 e 12 në pjesën e parë dhe në minutën e 67-të, ndërsa një gol u shënua nga holandezi Kopmeiners në 57’. Mediat italiane e mburrën kroatin si “numri 9 fals” në skemat e trajnerit Gasperini. Atalanta pati epërsi, ndërsa Venecia u përpoq të përgjigjej, por në mbrojtje e pati të pamundur për të përballuar sulmet e vendasve. Berat Gjimshiti luajti sërish 90’, e duket se e ka fituar vendin e titullarit, herë në mbrojtjen me 3 lojtarë, herë në mesfushë. Fitorja e ngjit Atalantën në kuotën e 31 pikëve, po aq sa Interi që ka luajtur një ndeshje më pak, e duke pasur vetëm 2 gola më pak të shënuar sesa kampionët. Për bergamaskët janë 4 fitore radhazi dhe 6 fitore në 8 ndeshjet e fundit, bashkë me dy barazime.
Sfidanti.al