Padyshim vëmendjen e tërheqin shumë Karim Benzema apo Vinisius në sulm, gjithashtu edhe kur një mbrojtës si David Alaba shënon madje me goditje dënimi. Gjithsesi, “motori” i këtij Reali të Madridit është mesfusha. Karlo Ançeloti deklaroi pak ditë më parë se treshja Modriç-Kros-Kasemiro është më e mira në botë, dhe se shpesh ata bëjnë gjëra që i krijojnë vetë, të cilat nuk ua kërkon apo ua mëson trajneri. Kjo treshe e tregoi veten edhe në stadiumin e Sherifit në Tiraspol, ku gjigandët spanjollë u hakmorrën për humbjen 1-2 të pësuar në “Santiago Bernabeu” në ndeshjen e parë mes tyre në grupe. Fitore 3-0 dhe dominim me gola të Alabës, Krosit dhe Benzemasë. Problemet me dëmtimet e kishin penguar deri tani Realin që të tregonte “motorin” në eficiencë të plotë. Kjo në Moldavi ishte ndeshja e gjashtë që Modriç, Kros e Kasemiro luajnë së bashku në fushë dhe Reali mund të mendojë me të drejtë se është në nivelin e skuadrave angleze apo të Bajernit për të pretenduar një tjetër Champions.
Sfidanti.al