Siti, edhe me mungesa, është më i fortë se PSG i Mesit, Mbapesë, Nejmarit!

Trajneri Maurisio Poçetino nuk pati zgjidhje tjetër përveçse t’i hidhte n fushë njëkohësisht “tre musketierët”, por “baruti” i Paris SG ishte i “lagur”. Në “Etihad”, zot fushe ishte Mançester Siti që përballoi edhe një gol të pësuar kundër rrjedhës së lojës në pjesën e dytë. Edhe pse patën përballë treshen e shkëlqyer Mesi-Mbape-Nejmar, edhe pse patën 3 mungesa të mëdha si De Brujn, Grilish dhe Foden, sërish të besuarit e Pep Guardiolës ishin një “fizarmonikë” përballë një rivali me shumë talent, por jo me të njëjtën cilësi loje. Me 16 gjuajtje në portë (5 në kuadrat) ata iu përgjigjën PSG-së që pati 7 gjuajtjr (2 në kuadrat). Kornet ishin 7-0, zotërimi i topit 55-45 për qind, ndonëse pasimet nuk patën ndonjë diferencë shumë të madhe (596-510).

Lionel Mesi, kërcënimi i përhershëm i Mançester Sitit kur ishte tek Barcelona, këtë herë nuk pati një ekip të një niveli të tillë historik, ndonëse ishte argjentinasi që krijoi golin e vetëm parizien, duke depërtuar drejt zonës e duke krosuar, me topin e devijuar nga Uolker që u shënua nga Mbape. Nuk u desh shumë kohë për reagimin dhe pas 13 minutave Rahim Stërling barazoi. Në 76’, erdhi goli i dytë i Gabriel Zhezusit (2-1) dhe Siti siguroi vendin e parë me 12 pikë ndaj 8 të francezëve.

Sfidanti.al