Kush tha se Italia nuk ka ekip për Champions, ka Interin!

Fitore dhe kualifikim. E mërkura ishte një ditë e madhe për pjesën zikaltër të Milanos, pasi skuadra e Simone Inzagit hodhi një hap të dyfishtë përpara. Mundi 2-0 Shahtarin e fortë të Donjeckut në “San Siro”, dhe po ashtu arriti kualifikimin për në raundin e dytë në Champions pas suksesit të thellë të Realit në fushën e Sherifit të Tiraspolit. Kjo do të thotë se Italia e ka skuadrën e denjë për Championsin, ndonëse nuk dihet nëse do të arrijë të matet me Realin, Bajernin, Mançester Sitin, Liverpulin, Çelsin apo Paris SG!

Dy golat ishin të Edin Xhekos dhe sulmi interist vazhdon formën e shkëlqyer këtë sezon. Formën e shkëlqyer e pati edhe Ivan Perishiç, dhe kroati mori notën 7.5 nga “La Gazeta delo Sport”. Interi ka 10 pikë në 5 ndeshje dhe përballja me Realin në “Bernabeu” është tani për lavdi dhe statistikë. Madrilenët kryesojnë me 12, ndërsa Sherifi mbeti me 6 pikë. “Goli i Xhekos ishte një çlirim, – deklaroi trajneri Inzagi, sepse rrjeta e parë erdhi në minutën e 61-të, – ne luajmë një futboll të madh. Të mos harrojmë se ishim vetëm 48 orë pas përballjes me Napolin që kërkoi shumë energji”. Edhe mediat italiane janë të lumtura: Ka Inter edhe pas Lukakut e Hakimit, madje ky ekip luan më mirë!

Sfidanti.al