“Prekja e artë” e Memellit i siguron Skënderbeut pikën në Durrës

Rezultati i ndeshjes së kampionatit ishte 2-1 për Teutën dhe u duk se “aq e pat ajo punë”. Gjithsesi, trajneri Migen Memelli i doli disi për zot premtimit bombastik që kishte bërë para sfidës, se “do të luajmë në mënyrë të jashtëzakonshme”, dhe këtë e bëri me një veprim “të pazakontë”. Hodhi në fushë fare në fund Melos Bajramin dhe ky futbollist barazoi rezultatin në 2-2 vetëm 1 minutë pas aktivizimit. Ndeshja në “Niko Dovana” ishte e fortë, me korçarët që rrezikuan të parët, dhe që shënuan gol të parët me anë të Mensahut në 20’. Lorenco Vila shënoi dy gola për kampionët, në 36’ e 47’, pra të dytin sapo nisi pjesa e dytë. Më pas, durrsakët pretenduan për penallti, por gjyqtari Enea Jorgji i këshilluar me VAR-in përcaktoi se pati pozicion jashtë loje më parë. Me këtë pikë, Teuta nuk afrohet dot me kreun, duke mbetur në vend të katërt me 13 pikë, ndërsa Skënderbeu ka 7 pikë dhe vazhdon të jetë në vend të parafundit.

Sfidanti.al