Mund të kthehet shpejt në elitë, edhe pse ende nuk ka mbërritur gjysma e sezonit. Klaus Gjasula është një nga protagonistët e mëdhenj të Bundesligës së dytë gjermane, duke qenë në fushë në fitoren 4-0 të Darmshtatit ndaj Sankt Paulit. Mesfushori shqiptar luajti titullar, dhe nga fillimi deri në fund, duke marrë edhe “specialitetin e tij”, kartonin e verdhë.
Darmshtati ka 26 pikë në 14 ndeshje duke lënë pas pikërisht Sankt Paulin, edhe pse ekipi nga Hamburgu ka luajtur një ndeshje më pak, 13. Po ashtu, ekipi i Gjasulës ka shënuar më shumë gola se gjithë të tjerër në Bundesligën e dytë, 35, në krahasim me 30 të Regensburgut dhe 28 të Sankt Paulit.
Tic, Manu, dhe dy herë Pfaifer ishin autorët e golave për Darmshtatin që është në një sezon të jashtëzakonshëm dhe i ka shanset për t’u ngjitur në Bundesligë. Për Gjasulën, do të ishte hera e dytë që të ngjitej në elitë me dy ekipe të ndryshëm, që të dy modestë, pasi më parë e bëri me Paderbornin duke provuar një edicion Bundesligën, njërin nga 4 kampionatet më të fortë të Europës.
Sfidanti.al