Lajmërimi ishte i shkruar në mur, thonë në Angli. Ole Gunar Solskjer ishte “një njeri i dënuar edhe pse jo i ekzekutuar”, nëse mund të shprehemi kështu, ndërsa gjithçka tani mori fund. Mançester Junajtidi mori vendim për ta shkarkuar trajnerin norvegjez pas humbjes 1-4 në fushën e Uatfordit në Premier Ligë. Disfata ishte e rëndë, thuajse një dorëzim i radhës, dhe madje mund të kishte qenë më e rëndë nëse portieri De Gea nuk do të kishte pritur dy herë një penallti në pjesën e parë. Mediat televizive dhe ato të shkruara lajmëruan se bordi drejtues i klubit u mblodh mbrëmë në darkë për 4 orë me radhë derisa mori vendimin.
Pas 5 humbjeve në 7 ndeshjet e fundit të kampionatit anglez nuk dukej se kishte zgjidhje tjetër, ndërsa vetë Solskjeri foli kështu kur u pyet për fatin e tij pas ndeshjes. “Unë e njoh këtë klub prej dekadash, – tha norvegjezi pas ndeshjes, – unë kam një komunikim shumë të hapur me drejtuesit dhe mirëkuptoj çdo vendim të tyre. Gjithsesi, kjo është diçka mes meje dhe klubit, dhe jo mes meje dhe ju gazetarëve”.
Mançester Junajtidi nën drejtimin e Solskjerit kishte arritur nivele vërtet të ulëta, sidomos në Angli. Katastrofa 0-5 me Liverpulin në “Old Traford” erdhi pas humbjes 2-4 në fushën e Leisterit. Ajo u ndoq nga disfata 0-2 në derbin me Sitin në shtëpi. Analistët, gjithsesi, theksuan se shkarkimi i trajnerit nuk është zgjidhje për problemet në ekip, dhe se fajtorë janë drejtuesit, madje edhe afrimi i Kristiano Ronaldos. Solskjer, ndërkaq, mbetet një legjendë e Mançester Junajtidit, por është vështirë në kohët e sotme të mbijetosh në një klub të tillë pa asnjë trofe në 3 vjet.
Sfidanti.al