Ishte një ndeshje me polemika, edhe pse ishte një sfidë për t’u mbajtur mend. Ksavi Hernandez pati debutimin si trajner në stolin e Barcelonës, dhe skuadra e tij u prit me madhështi në “Kamp Nou” nga publiku katalanas. “Kamp Nou” ishte i mbushur si për raste të mëdha, ndonëse derbi me Espanjolin në La Liga doli i vështirë. E qartë, që as një legjendë si Ksavi nuk mund të përmbysë një gjendje krize në pak ditë pune. Në këtë ndeshje, mesfushori i kombëtares shqiptare, Keidi Bare ishte në stol për Espanjolin pasi e mori vete nga dëmtimi i pësuar në ndeshjen e Shqipërisë në “Uembli” ndaj Anglisë.
Goli i vetëm u shënua nga Memfis Depai me penallti, pas një vendimi të dyshimtë të gjyqtarit, që përballoi dy pretendime për 11-metërsh në pjesën e parë, nga një për secilën skuadër. Në fund, Barcelona u lodh dhe mund ta paguante shtrenjtë, por u mbajt. Tashmë, Ksavi ka detyrë të fitojë ndeshjen ndaj Benfikës në Champions po në “Kamp Nou”, që të mbajë gjallë shpresat për kualifikim. Derbi tregoi sesa detyrë të vështirë ka marrë mbi vete.
Sfidanti.al