Trajneri Gasperini e ka pasur gjithnjë ndër “ushtarët” e tij më të besuar. Ndoshta edhe vetë ai e kishte peng që qendërmbrojtësi shqiptar nuk po luante sa duhet këtë sezon dhe ja ku i punoi mendja më në fund. Berat Gjimshiti këtë herë ishte titullar për Atalantën, duke lënë përfundimisht prapa dëmtimin, ndërsa u ndodh në një rol të ri. Gasperini e aktivizoi si mesfushor mbrojtës, pra si “mur” në ndeshjen e fituar 5-2 ndaj Specias në Serinë A. Shqiptari, që humbi ndeshjet ndaj Anglisë dhe Andorrës në eleminatorët e Kupës së Botës, por që u aktivizua ndaj Mançester Junajtidit në Champions, ishte në fushë për 90’, edhe pse Gasperini i bëri të 5 zëvendësimet e mundshme. Pashaliç, Zapata (penallti), Pashaliç sërish, Muriel dhe Malinovskij shënuan për bergamaskët, ndërsa Nzola ishte autor i dy golave për miqtë.
Sfidanti.al