Anglia nuk u ndal dhe e vazhdoi aty ku e la me Shqipërinë. Kapiteni Harri Kejn, që i kërkoi me ngulm trajnerit Garet Sauthgejt që të luante, e shpërbleu besimin duke realizuar 4 herë në fitoren 10 ndaj San Marinos në fushë kundërshtare. Golat e tjerë u shënuan nga Harri Megajer, Fabri (autogol), Smith-Roui, Mings, Abraham dhe Saka.
Kejn arrin në 48 gola, të cilët i ka realizuar në vetëm 67 ndeshje duke qenë një nga lojtarët më efektivë të “tre luanëve”, me mesataren 0.72 gola për ndeshje. Vetëm Xhimi Grivs (0.77), Nat Lofthauz (0.91) dhe Vivien Uduord (1.26) kanë mesatare më të mirë sesa kapiteni i sotëm. Shpejt pritet që ai të kalojë edhe Bobi Çarltonin që ka 49 rrjeta, dhe rekordmenin Uejn Runi me 53, për të synuar nivelet e rekordeve që kanë lojtarë të kombëtareve të tjera si Gjermania, Hungaria, Brazili apo Argjentina.
Me paraqitjen ndaj San Marinos, Kejni u bë lojtari me më shumë gola për Anglinë në një vit kalendarik (16), i pari që shënon të paktën 4 gola në një ndeshje që nga 1993-shi dhe i pari lojtar që shënon dy tregolësha njërin pas tjetrit që nga viti 1957.
Sfidanti.al