Dagllas Kosta mesa duket vërtet qenka i pakënaqur tek Bajerni i Mynihut. Braziliani i ardhur nga Ukraina, ka qenë një nga lojtarët më të mirë të viteve të fundit dhe është mbiquajtur “Riberi i ri”, por tashmë ai nuk është i kënaqur me kushtet financiare. Duket se ish-lojtari i Shahtarit të Donjeckut ka provuar të bëjë presion, por përgjigja e presidentit Uli Hënes ka qenë e prerë. “Kjo nuk shkon me ne, – është shprehur Hënes, – ai mund ta provojë edhe 10 herë të tjera, por nuk do të ketë sukses. Bëhet fjalë për një përpjekje të dëshpëruar për të fituar rritje të rrogës”.
Dagllas Kosta u mor në 2015 për më shumë se 25 milionë euro, duke u bërë blerja e katërt më e shtrenjtë në historinë e klubit. Lojtari ofensiv 26-vjeçar është kthyer në një nga kryesorët në Mynih, ndërsa ka luajtur 18 ndeshje e shënuar 3 gola për Brazilin. Burime pranë tij thonë se klube nga Anglia, Spanja, Franca apo Kina janë të interesuar për Dallgas Kostën, kurse trajneri Karlo Ançeloti është i bindur se “futbollisti nuk është aspak i palumtur tek ne”.