Ruaj veten Angli e dashur, po vjen Edi Reja të të mundi në Uembli !

Ky Edi Reja, trajneri i Shqipërisë, sa vjeç është në të vërtetë? Kur e shikon nga afër, mund t’i japësh edhe më shumë vite se sa meriton, ndërsa kur e dëgjon nëpër intervista trukohet në një “adoleshent” pa kohë dhe moshë ! Tamam në prag të ndeshjes në Uembli me Anglinë, sikur të ketë harruar se ç‘ka tha para ndeshjes me Poloninë në Tiranë, dhe gazetarët sikur të ishin fëmijë që mezi presin përrallën e radhës, Reja shkoi përtej ylberit: Do të luajmë në Uembli për të fituar ndeshjen !”

Është i mbushur me intrigë fakti se, askush nga stafi kuqezi që e rrethon apo nga ata që komandojnë fijet kuqezi nuk e frenojnë apo të tentojnë, sepse ky fluturim pa parashutë i Rejës na intereson per hesape te tjera..

Do ta sulmojmë Anglinë – pohon Edi Reja sikur të jetë vetë Napoleoni , duke treguar një shpërfillje plateale ( flagrante) ndaj së kaluarës së hidhur që kemi me anglezët, pale të guxosh krahasimin e sotëm të nivelit të ekipeve. Po ku fshihet lepuri? Sa herë që Reja del në fushatë para ndeshjeve “big”, në të cilat do të bënim mirë të mbyllnim portën dhe jo hapnim gojën, pyetja më ngacmuese lind e tillë: Reja mendon me kokën e tij kur thotë se do të shkojë në Uembli për t’i mundur anglezët apo e kanë mësuar suflerët kuqezi, atyre që u flet goja shumë më tepër se sa flasin këmbët e Kombëtares sonë…

Sfidanti.al