Çelsi lë pikë në Premier që nga shtatori, shpresë për Sitin e Liverpulin

Ishte e qartë se do të ndodhte që do të ndaleshin, dhe ajo që shqetësoi më shumë ishte që ndalesa ndodhi në “Stemford Brixh”. Çelsi i trajnerit Tomas Tuhel nuk e vazhdoi dot marshimin në Premier Ligë dhe Bërnli bëri një heroizëm duke marrë barazimin 1-1 në Londër. Golit të gjermanit Kai Haverc (që po nis të mësohet me rrjetën), iu përgjigj pas pushimit Matej Vidra në 79’ duke bërë që londinezët të linin pikët e para në Premier Ligë që nga shtatori. Natyrisht, mungesat e Lukakut e Vernerit ndihen, sidomos kur luhet kaq shpesh (çdo 3-4 ditë) dhe kur rivalët janë ekipe të fortë fizikisht.

“U ndëshkuam sepse shpërdoruam shumë raste për gol, – tha Tuheli pas ndeshjes, – ne duhej ta kishim fituar këtë ndeshje, dhe le të jetë mësim për të ardhmen. Jam i kënaqur nga paraqitja, por vetëm duhet ta kuptojmë se me rezultatin 1-0 asgjë nuk është e sigurt”. Çelsi vazhdon të kryesojë kampionatin me 26 pikë në 11 javë, dhe me golaverazhin e shkëlqyer 27-4, por rivalët nuk janë shumë lart. Siti është ngjitur në 23 pikë pas fitores në fushën e Junajtidit, ndërsa Liverpuli luan nesër në stadiumin e Uest Hemit duke pasur 22 pikë dhe golaverazhin po ashtu shumë të mirë, 29-8.

Sfidanti.al