Matematikisht jemi ende në lojë, por sfida e parë është “bombë”. Kombëtarja shqiptare do të luajë këtë muaj dy ndeshje në eleminatoret e Kupës së Botës, dhe si fillim trajneri Edi Reja ka botuar listën me emrat e lojtarëve të thirrur. Në grumbullim do të mungojnë që në fillim qendëmbrojtësi Berat Gjimshiti, i dëmtuar në ndeshjen në Hungari, dhe që është kthyer vetëm për një pjesë loje për Atalantën, në Champions ndaj Mançester Junajtidit. Reja ka gjykuar të mos rrezikojë, me gjasë duke komunikuar edhe me klubin italian.
Në listë mungon edhe Ivan Balliu, mbrojtësi i krahut i dalluar në La Liga të Spanjës, si dhe mesfushori Amir Abrashi e sulmuesi Rej Manaj që po luan pak me Specian në Serinë A. Në ekip kthehen mbrojtësi i krahut Albi Doka dhe mesfushori Qazim Laçi. Pjesa tjetër nuk ka të papritura, me të gjithë lojtarët kryesorë, ndonëse disa prej tyre po luajnë pak ose aspak, si Kumbulla, Berisha e Strakosha. Ekipi nis grumbullimin të hënën në Durrës, ndërsa në 12 nëntor luan në “Uembli” të Londrës ndaj Anglisë, dhe në 15 nëntor pret Andorrën në “Arenën Air Albania”, në ndeshjen e fundit të këtij cikli eleminator.
Sfidanti.al