Dortmundi “lutet”, por Halandi nuk mund ta ndihmojë në Champions

Disfatat radhazi me Ajaksin janë të tilla që e detyrojnë ekipin gjerman që të reagojë dhe të mos i lejojë vetes humbje në ndeshjen e ardhshme. Kjo sfidë do të jetë në 24 nëntor në fushën e Sportingut të Lisbonës dhe Dortmundi nëse humbet zbret në vend të tretë (për shkak të golaverazhit), dhe pastaj do ta ketë tepër të vështirë që të kualifikohet. Erling Halandi nuk luajti në ndeshjen e dytë ndaj Ajaksit humbur 1-3 në “Signal Iduna Park” , edhe pse ishte në formacion në katastrofën 0-4 në Amsterdam. Babai i tij, Alf-Inge thotë se gjendja e të birit nuk ka ndonjë përmirësim të madh dhe se duhet kohë të kalojë dëmtimi. “Nëse do të luante ndonjë ndeshje përpara Krishtlindjeve do të ishte një bonus i madh, – tha ai, – por, kjo është plotësisht e pasigurt”. Ndeshjet e grupeve në Champions përfundojnë në 7 dhjetor, pra Halandi nuk e ndihmon dot ekipin e tij.

Sfidanti.al