Skocezi ka arritur një kufi që nuk janë të shumtë ata që e kanë kaluar. Dejvid Mojes e feston në Belgjikë ndeshjen e tij numër 1 000 si trajner, ndërsa ishte në stolin e Uest Hemit për ndeshjen e Ligës së Europës ndaj Genkut vendas. Ai e nisi karrierën në vitin 1998 me Preston North Endin, një emër dikur tepër i shquar në Angli, edhe pse sot është shumë më modest, duke e drejtuar për 4 sezone. Mojesi u bë i famshëm tek Evertoni ku punoi mbi 11 vjet, duke qenë trajneri i tretë më jetëgjatë në një skuadër në vazhdimësi pas Sër Aleks Fergusonit e Arsen Vengerit. Pasi nuk pati sukses tek Mançester Junajtidi, ai provoi Sociedadin, Sandërlendin dhe Uest Hemin. Pikërisht me londinezët po njeh sërish suksesin në periudhën e dytë në stol, duke i kualifikuar për në Europë.
Sfidanti.al