Anglia shpall listën ndaj Shqipërisë, nuk mungon “artileria e rëndë”!

Do të jetë padyshim ndeshja më e vështirë. Shqipëria luën në “Uembli” të Londrës ndaj Anglisë në 12 nëntor, dhe trajneri i “tre luanëve”, Garet Sauthgejt, ka shpallur listën e lojtarëve për këtë sfidë. Për ndeshjen eleminatore të Kupës së Botës, anglezët do të kenë sërish në radhët e tyre dy lojtarët e rinj, Xhud Belingham të Dortmundit dhe Markush Rashford të Mançester Junajtidit, të cilët ishin të dëmtuar dhe nuk luajtën për kombëtaren në duelet e muajit të kaluar. Gjithsesi, Sauthgejti ka lënë jashtë Sançon e Lingardin të Junajtidit, dhe Tripierin e Atletikos së Madridit, të cilët mesa duket nuk e kanë bindur me paraqitjet e tyre. Sidoqoftë, në ekip nuk mungojnë yjet kryesorë si kapiteni Harri Kejn, Henderson, Stërling, Foden, Megajer, Stouns apo Uolker. Anglia fitoi 2-0 ndeshjen e luajtur në mars të këtij viti në “Arenën Air Albania” me golat e shënuar nga Kejn dhe Maunt. “Tre luanët”, nënkampionë të Europës në fuqi, kryesojnë grupin tonë eleminator të Kupës së Botës me 20 pikë, ndërsa Shqipëria është në vend të tretë me 15, duke pasur shumë më pak shpresa për t’u kualifikuar për në plej of.

Sfidanti.al