Shqipëria ka një medalist botëror në boks, Alban Beqirin!

Pak javë më parë, ai u përfshi në një konflikt krejt të panevojshëm në Pallatin e Sportit në Shkodër, ku gjyqtarët ia dhanë humbjen ndeshjen finale për titull në kampionatin kombëtar, përballë një boksieri të Vllaznisë. Gjithsesi, pa hyri aspak tek drejtësia e atij vendimi, Alban Beqiri i tregoi të gjithëve sot se është boksieri më i mirë i Shqipërisë dhe një nga katër më të mirët e botës në peshën e tij deri 71 kg. Është ndër 4 më të mirët në Kampionatin Botëror që po zhvillohet në Arenën e Beogradit, duke i siguruar boksit shqiptar një medalje, të paktën atë të bronzit.

Ai fitoi 4-1 ndaj një kundërshtari të fortë, Zejad Ishaish të Jordanisë, duke pasur epërsi nga fillimi deri në fund. Më herët, 25-vjeçari i klubit shumësportësh Tirana, triumfoi radhazi ndaj Bonifejs Mainës së Kenias në raundin e parë, Saimonas Banisit të Lituanisë në të dytin dhe Eduardo Bekfordit në raundin e tretë. Dy fitoret e para ishin 5-0, e treta ishte 4-1 ashtu si edhe çerekfinalja. Tashmë, në katërshe, shqiptari do të ketë provën e fortë ndaj boksierit të Rusisë, Vadim Musajev, ndërsa në gjysmëfinalen tjetër ndeshen Juri Zahariev i Ukrainës dhe Sarhan Alijev i Azerbajxhanit.

Sfidanti.al