Nga Shqipëria u largua me statusin e një lojtari të veçantë. Jasir Asani ishte padyshim një nga virtuozët e topit në Superligën tonë, ndërsa pas Partizanit deshi ta provonte veten jashtë vendit. Verën e kaluar kaloi në Hungari te Kisvarda, ekip i Superligës, dhe më në fund po gjen veten. Së fundmi, realizoi golin e dytë personal, këtë herë në Kupën e Hungarisë, në fitoren 4-1 arritur në shtëpi ndaj MTK-së së Budapestit. Ai shënoi për rezultatin 3-0. Dy gola të tjerë për Kisvardën i realizoi Driton Camaj, që është një futbollist 24-vjeçar shqiptar nga Mali i Zi. Asani ka luajtur gjithsej 7 ndeshje në Superligën e Hungarisë, duke qenë tri herë titullar, ndërsa ka një gol, të realizuar fundjavën e kaluar në barazimin 2-2 të Kisvardës në fushën e Paksit. Sulmuesi 26-vjeçar është aktivizuar në gati gjysmën e minutazhit, dhe kjo nuk është gjë e keqe për një lojtar që ka mbërritur në ekip vetëm verën e kaluar. Në radhët e MTK Budapest, në ndeshjen e Kupës ndaj ekipit të Asanit, në 25 minutat e fundit të sfidës u aktivizua edhe mesfushori i përfaqësueses shqiptare, Ylber Ramadani.
Sfidanti.al