“Katalanasi” Ivan Balliu këtë javë përballë Barcelonës

Për 8 vite ishte tek Akademia e famshme “La Masia” që vazhdon të nxjerrë talente, edhe pse klubi që e ka krijuar, nuk po di t’i shfrytëzojë siç duhet. Ivan Balliu ka qenë futbollist i Barcelonës e padyshim që ka ëndërruar të luante në ekipin e parë katalanas, diçka që nuk ndodhi, por jeta vazhdoi. Sot, me fanelën e Rajo Vajekanos në La Liga, mbrojtësi i krahut ka mundësi të vihet përballë Barçës në ndeshjen e kampionatit, gjithnjë nëse trajneri do ta aktivizojë. Balliu, që është kthyer në kombëtaren shqiptare, ka kujtime të shkëlqyera nga ajo epokë, ndërsa intervistohet nga media katalanase si e përditshmja “Sport”. Ai thotë se u largua nga Barcelona pasi aty luanin lojtarë si Dani Alvesh, dhe se nuk do të ishte keq që të kthehej sërish me atë fanelë. Gjithsesi, është i lumtur me Rajon, që për momentin po lufton për kupat e Europës. “Mëkat që u largua Mesi, – thotë me shaka Balliu, – jam stërvitur disa herë me të. Nëse do të kishte qenë, do t’i kisha kërkuar fanelën, por tani do t’ia kërkoj ndonjë tjetri”.

Sfidanti.al