Tirana fiton derbin me VAR, ia bën Partizanit 14-4 me … pikë!

Kishte disa kohë që nuk po njihte gëzimin, që pas dy fitoreve të famshme 2-1 e 5-1 në fund të vitit 2019 e fillim të 2020-ës. Gjithsesi, dita e Tiranës erdhi dhe skuadra bardheblu e fitoi derbin ndaj Partizanit. Për këtë u desh vetëm një gol shënuar me penallti nga Limaj në minutën e 7-të shtesë të pjesës së parë, dhe akorduar nga VAR-i pas një shqyrtimi të gjatë të gjyqtarit Hamitaj, që ishte ndërprerë edhe nga konflikti në fushë i lojtarëve të të dyja skuadrave. Tashmë diferenca e dy ekipeve në renditjen e Superligës është 10 pikë, 14 për Tiranën e vetëm 4 për Partizanin pas 6 javëve kampionat.

Nuk është se bardheblutë patën ndonjë epërsi në këtë derbi, dhe shpesh ndeshje të tilla zgjidhen nga një episod, e nuk mund të pritet dominim siç bëri, të themi Liverpuli ndaj Mançester Junajtidit në Angli. Po ashtu, të kuqtë e trajnerit Daja vuajtën mungesat, pasi formacioni nuk kishte 6 lojtarë titullarë, nga të cilët vetëm Cara hyri në fushë 20 minuta para fundit. Gjithsesi, pozicioni i Partizanit është shumë i vështirë, pasi vetëm 4 pikë duken të papranueshme për një klub që ka hyrë në kampionat me pretendime maksimale. Nga ata tjetër, Orges Shehi në stolin tiranas pati vazhdimësi në synimet e tij për titullin. Jo më kot Tirana është e para me 14 pikë, 3 më shumë sesa Kukësi e Teuta.

Sfidanti.al