“Lufta e Ftohtë” e Serbisë nuk lejon Kosovën në Botërorin e boksit në Beograd!

Kanë kaluar 5 vjet që kur realizuan hyrjen nga dera e madhe. Sporti i Kosovës u bë pjesë e lëvizjes sportive botërore që nga pjesëmarrja në Lojrat Olimpike të 2016-ës në Rio de Zhaneiro, por pavarësisht kësaj ende ka pengesa. Ekipi përfaqësues kosovar i boksit nuk u lejua të kalonte në pikën kufitare të Dheut të Bardhë me Serbinë për të marrë pjesë në Kampionatit Botëror që mbahet në Beograd. Autoritetet serbe, sipas mediave nga Kosova, por edhe nga Serbia, kërkuarn që sportistët të hiqnin simbolet shtetërore nga uniformat e tyre,ose të hiqnin uniformat e t’i linin në kufi. Kjo gjë nuk u pranua dhe delegacioni u ndalua, e u kthye në Prishtinë.

Federata Botërore e Boksit, AIBA, reagoi duke i dërguar letër Federatës së Boksit të Serbisë duke i kërkuar lejimin e Kosovës, e cila është anëtare me të drejta të plota në këtë federatë që nga viti 2014. Kosova ka edhe kampionë të Europës si Donjeta Sadiku si dhe medalistë të tjerë. Presidenti i Serbisë, Vuçiç është takuar me presidentin e Federatës Botërore, ndërsa synohet një zgjidhje për ngërçin. Ndërkaq, në ekipin kombëtar të Shqipërisë, që ndodhet në Beograd, ka pasur diskutime për një tërheqje të mundshme nga Botërori. Gjithsesi, është vendosur të konsultohen me Federatën dhe me Komitetin Olimpik, për të mos bërë veprime të skajshme, të cilat mund t’i kushtojnë Shqipërisë.

Sfidanti.al