Kosovë, përvoja nuk blihet me para; humbjen 0-3 në Suedi e pate “hak”!

I mungoi edhe forca, edhe përvoja. Pavarësisht ndonjë pretendimi për penalltinë që solli golin e parë, sërish Kosova u duk e pashpresë në “Arenën e Miqve” në Stokholm, përballë Suedisë vendase në eleminatoret e Kupës së Botës. Humbja 0-3 nuk mund të thuhet se u shkaktua nga një vendim ndoshta i diskutueshëm i gjyqtarit pas një vonese të gjatë prej disa minutash, ku ishte problem edhe të ndiqeshin pamjet nëpërmjet VAR-it. Diferenca mes dy ekipeve ishte e madhe, me suedezët që mbajtën topin 55 për qind dhe gjuajtën 10 herë në kuadrat ndaj vetëm 3 të ekipit të shtetit të ri shqiptar.

Gjithsesi, diçka që mund të pranohet në një duel të tillë ku ekipi nordik ka eksperiencë shekullore, ndërsa Kosova e arriti vetëm pak ditë të shkuara fitoren e parë në histori në eleminatoret e botërorëve, 1-0 në fushën e Gjeorgjisë. Skandinavët shënuan me anë të Emil Forsbergut në minutën e 29-të me 11-metërsh, pastaj në pjesën e dytë me autorë golash Aleksandër Isakun dhe Robin Kuasonin. Sidomos, rrjeta e dytë e të riut 22-vjeçar Isak ishte e veçantë. Kosova është në vendin e parafundit në grup, në të katërtin, me 4 pikë, duke lënë prapa vetëm Gjeorgjinë që ka 1 pikë. Shanset për të qenë të paktën të tretët duken të vështira pasi Greqia është 6 pikë larg, ndërsa grupi kryesohet nga Spanja me 13 pikë në 6 ndeshje dhe nga Suedia me 12 pikë në 5.

Sfidanti.al