Lamtumirë Kosta, shok, mik dhe koleg! Shpresojmë të takohemi një ditë!

Sot nuk na mbetet tjetër veçse t’i themi lamtumirë. Po ashtu të shprehim shpresën se me kolegun dhe shokun tonë, Kosta Grillo, të mund të shihemi dikur në të ardhmen. Gazetari 59-vjeçar u shua në një spital të Stambollit, ku ishte i shtruar i sëmurë me koronavirus. Grillo ndodhej në Turqi prej gati dy muajsh, që nga 11 gushti, i dërguar në gjendje të rëndë, dhe pavarësisht ndonjë përmirësimi të momentit, nuk arriti ta kalonte të keqen. Kosta Grillo njihet si një gazetar dhe komentator për dekada me radhë, me karrierë të nisur përpara vitit 1990.

Ai punoi në këtë profesion në televizione të ndryshme, ndërsa më shumë u profilizua si komentator duke ndjekur kombëtaren e Shqipërisë, por edhe ndeshje të skuadrave tona në Superligë apo në kupat e Europës. Gjithashtu, Grillo ishte një nga menaxherët e parë të futbollit në vendin tonë. Njihet për rolin e tij në sjelljen e të famshmit Mario Kempes si trajner i Lushnjes në 1996, apo të futbollistëve të parë të huaj si braziliani Edu, po tek Lushnja.

Sfidanti.al