Çelsi për titull? Nuk pati asnjë gjuajtje në portë ndaj Sitit!

Mund ta humbasësh një ndeshje, madje mund të humbasësh edhe një kampionat. Gjëra që ndodhin, por duhet që të paktën të jesh bindës në fushë. Çelsi i Londrës, kampionnë fuqi i Europës, dhe tepër i lavdëruar këtë sezon në Premier Ligë, pati një pasdite “jo” ndaj Mançester Sitit duke mos mundur të përballonte stilin e kampionëve të Anglisë. Skuadra e Pep Guardiolës fitoi vetëm 1-0, veçse nuk duhet harruar se u luajt në “Stemford Brixh” të Londrës dhe se blutë vendas nuk bënë asnjë gjuajtje në kuadrat. Siti mbajti topin 60 për qind, pati 15 gjuajtje gjithsej ndaj 5 të vendasve, si dhe 4 në kuadrat, kurse Çelsi nuk pati asnjë. Kornet ishin 13-4 gjithashtu për miqtë.

Gabriel Zhezus shënoi golin e vetëm të ndeshjes në Premier Ligë, ndërsa Siti ka tani 13 pikë, po aq sa Liverpuli, Çelsi e Mançester Junajtidi (që u mund në shtëpi nga Aston Vila). Liverpuli ka luajtur një ndeshje më pak. “Ne luajtëm shumë mirë, – tha Zhezus, – ne ishim përgatitur siç duhet. Nuk ishte pak të luanim kështu ndaj kampionëve të Europës. Kemi lojtarët e duhur për të krijuar e për të shënuar gola”.

Sfidanti.al