Duhej të ishte mbrëmja e Ernest Muçit, por ishte e Lirim Kastratit

Në Kroaci e vlerësuan dhe nuk ishte i keq, por gjithsesi nuk mundi të jepte atë “prodhim” që dhanë yje të tjerë si Modriç apo Manxhukiç. Lirim Kastrati kaloi fillimisht për 2 milionë euro nga Lokomotiva e Zagrebit tek Dinamo e Zagrebit, pastaj u huazua sërish tek Lokomotiva dhe përfundimisht Dinamo e transferoi për 1.3 milionë euro tek Legia e Varshavës. Një humbje prej 700 mijë eurosh për gjigandin kroat, por ndoshta Lirim Kastrati mund të jetë i ringjallur në Poloni. Këtë e tregoi të paktën në ndeshjen e parë në grup në Ligën e Europës duke shënuar në fushën e Spartakut të Moskës, në fitoren 1-0 të Legias. Kastrati 22-vjeçar hyri në fushë në minutën e 59-të dhe shënoi në fund fare, duke iu kujtuar të gjithëve se kur i është dhënë mundësia për të luajtur ka shënuar mjaft. Tek Lokomotiva në 2019-2020 realizoi 11 gola e shërbeu 7 asistë në 34 ndeshje, aspak keq. Në Moskë, tifozët shqiptarë pritej të ishte mbrëmja e Ernest Muçit, që luajti 7-8 minuta, por nuk u mërzitën që doli mbrëmja e Kastratit.

Sfidanti.al