Ishte kaos apo farsë ndeshja ku u thye rekordi i penalltive në Champions?!

Nuk kishte ndodhur kurrë më parë, dhe nuk dihet nëse do të ndodhë sërish. Plot 4 penallti u dhanë në pjesën e parë të ndeshjes së grupeve në Champions, mes Seviljes dhe Salcburgut, duke vendosur një rekord të ri të konkurrimit. Deri mbrëmjen e fundit, asnjëherë nuk ishin akorduar 4 11-metërsha as në 90 minuta, jo më në një pjesë loje, ndërsa saktësisht për to u deshën vetëm 30 minuta. Adoleshenti Karim Adejemi, lojtar i ekipeve kombëtare të Gjermanisë, pati edhe rekordin personal dhe gjithashtu të Championsit, duke fituar 3 nga 4 penalltitë, dhe që të treja që iu dhanë Salcburgut.

Gjithsesi, kur erdhi puna tek realizimi, ai la shumë për të dëshiruar. Adejemi humbi penalltinë e parë. Më pas, adoleshenti kroat, Luka Suçiç, shënoi të dytën, por ishte sërish Suçiç që gaboi në gjuajtjen e tretë nga 11 metra larg, duke rrahur shtyllën. E gjitha kjo ndërsa rezultati ishte 1-0 për kampionen e Austrisë, dhe u desh përsëri një penallti që të arrihej barazimi, që do të ishte edhe përfundimi i ndeshjes. Për t’ia akorduar 11-metërshin Seviljes u desh VAR-i, ndërsa Ivan Rakitiç, ish-lojtar i Barcelonës, nuk gaboi në një mbrëmje kur katalanasit ish-shokë të tij u mundën 0-3 nga Bajerni.

E përditshmja tabloide britanike, “Mirror” e cilësoi atë që ndodhi në Spanjë si një farsë, ndërsa mediat e tjera e quajtën një mbrëmje kaotike. Në pjesën e dytë u tentua që të fitohej një penallti e pestë, por Jusef El Nesiri simuloi dhe mori karton të kuq me dy të verdha. El Nesiri u bë marokeni i gjashtë që përjashtohet në një ndeshje të Ligës së Kampionëve.

Sfidanti.al