Championsi nis me Barça-Bajern, por janë “pasanikët” e rinj që kërcënojnë!

Nuk ka më bukur sesa një betejë klasike në një nga stadiumet më të shquar të Europës. Vërtet një gjetje e shkëlqyer për fillimin e sezonit të Championsit, ndërsa Barcelona pret Bajernin e Mynihut, dy ekipe që e kanë fituar trofeun përkatësisht 5 dhe 6 herë. Gjithsesi, siç theksojnë edhe shumë analistë nëpër kontinent, lavditë e vjetra rrezikohen seriozisht nga pasanikët e rinj. Bajerni, Barcelona, Reali i Madridit, Liverpuli dhe Mançester Junajtidi, pa llogaritur Juventusin e Milanin, do të duhet të bëjnë llogaritë me Paris SG, Mançester Sitin e Çelsin. Dy klubet e parë mbështeten nga miliarderë të Gjirit Persik, ndërsa Blutë e Londrës janë pronë e miliarderit rus, Roman Abramoviç. PSG mori këtë verë Mesin, Ramosin, Donarumën, Vajnaldumin e Hakimin, ndërsa kishte Mbapenë e Nejmarin (si dhe Verratin, Markinjosin apo Di Marinë). Çelsi solli në ekip Lukakun, ndërsa Siti ka vite që shpenzon qindra milionë paundë stërlina. Rezultat ishte që vjet në gjysmëfinale të Championsit ishin Paris SG, Mançester Siti dhe Çelsi, të kundërshtuar vetëm nga Reali. Në fund, finalja ishte Çelsi-Siti dhe londinezët fituan.

Sfidanti.al