Volfsburgu mbetet lider, por Dortmundi shpreson me Halandin!

Nëse ke një nga dy-tre sulmuesit më të mirë të botës për momentin, atëherë mund të pretendosh edhe maksimumin. Në Gjermani, nuk mendohet lehtë kështu nëse nuk je Bajerni, por Dortmundi po shpreson gjithnjë e më shumë me Erling Halandin. Sulmuesi norvegjez shënoi 2 herë në fitoren 4-3 në fushën e Leverkusenit, dhe Borusia fitoi një sfidë direkte për titull, madje në shtëpinë e rivalit. Edhe pse Volfsburgu është kryesuesi surprizë me 12 pikë në 4 ndeshje, pra me 4 fitore, sërish Dortmundi nuk është larg, pasi ka 9 pikë, pra vetëm një humbje e të tjerat fitore. Halandi ka 5 gola në 4 ndeshje të Bundesligës deri tani dhe 45 gola në 47 ndeshje të kampionatit gjerman në total. Për një 21-vjeçar është diçka e jashtëzakonshme, ashtu siç janë 65 gola në 65 ndeshje për Dortmundin gjithsej, dhe 29 gola në 27 ndeshje për Salcburgun kur ishte në Austri.

Sfidanti.al