“Bomberi i Kombit” shënoi 68 rrjeta në vetëm 62 ndeshje me Gjermaninë Perëndimore. Mesatarja e tij e realizimit ishte 1.1 gola për ndeshje. Ferenc Pushkash shënoi 84 gola në 85 ndeshje për Hungarinë e tij magjike, dhe mesataren e golave e kishte mbi 1 gol për ndeshje. Kristiano Ronaldo ka shënuar më shumë se këto legjenda, pasi me dy rrjetat ndaj Irlandës arriti në 111 goditje të sakta për Portugalinë. Kjo gjë u bë e mundur vetëm pas 180 ndeshjeve, dhe natyrisht tregon se çfarë gjigandi është ai në nivel të ekipeve kombëtare, veçse mesatarja e tradhëton. CR7 ka 0.62 (afërsisht) gola për çdo përfaqësim të vendit të tij, pra mesatare shumë më e ulët sesa Myleri dhe Pushkashi.
Në ndeshjen eleminatore të Botërorit në Lisbonë, Kristiano theu rekordin botëror të golave të shënuara për ekipet përfaqësuese, që e mbante Ali Daei i Iranit. Të dy në fakt kishin nga 109, por tashmë Ronaldo ka 111 pasi shënoi me dy goditje të sakta me kokë. Ai humbi më herët një penallti, dhe shpëtoi mirë pa marrë karton të kuq kur goditi me shuplakë O’Shinë e Irlandës. Shpëtimi erdhi në minutat 89 e 90+6, dhe tani numri 7 mund të shkojë edhe më shumë i lumtur e i frymëzuar për të rinisur karrierën me Mançester Junajtidin në “Old Traford”.
Sfidanti.al