Një vendim i madh për Grent Halilin, sikur të kishte ndodhur kur trajner ishte Egboja!

Nuk dihet qartë se çfarë e ka shtyrë që të largohet nga futbolli ndërsa është ende mjaft i ri. Grent Halili nuk do të jetë më pjesë e Tiranës, madje do ta mbyllë karrierën në fushë, diçka që zakonisht ndodh në moshën 33 vjeç e sipër, jo 23. Një shkak i fortë duhet ta ketë detyruar djalin e presidentit bardheblu, Refik Halili, e ndoshta mund të kenë ndikuar polemikat dhe fjalët e thëna “lart e poshtë” se trajnerët mund të kenë qenë të detyruar që ta aktivizojnë pikërisht për shkak të mbiemrit. Jo vetëm kaq, por fjalët ishin të shumta se trajneri Emanuel Egbo u largua pikërisht për këtë shkak, ndonëse udhëhoqi Tiranën drejt titullit të parë kampion në 11 vjet. Sido që të jetë, Grenti do të respektohet tani edhe më shumë sesa kur ishte aktiv. E vërteta është që ai kishte talent, dinte të luante mirë me topin, por ndoshta presioni ishte shumë i madh për të, në klubin ku aksionet i ka babai. Ndoshta, si drejtues do ta ketë më të lehtë, por një pyetje bëhet natyrshëm: Si do të kishte qenë nëse ai do të ishte tërhequr nga futbolli kur trajner ishte Egboja?!

Sfidanti.al