Arkadiush Milik pati një fillim të tillë të sezonit, saqë titujt e gazetave arritën në teprime, me tituj të tillë si “Napoli po del pas 25 vjetësh nga hija e Maradonës”. Pavarësisht ekzagjerimit, sulmuesi polak vërtet po bënte mrekulli, ndaj edhe u ndje shumë mungesa e tij kur u dëmtua në tetor. i pritur të mungonte 6 muaj, Milik e shkurtoi kohën e rikuperimit në 4 muaj dhe për herë të parë u grumbullua në skuadër nga trajneri Mauricio Sarri, për takimin e kësaj jave në Serinë A ndaj Bolonjës.
“Më në fund, – shkroi Milik në Tuiter, – u grumbullova për Bolonjën. Mezi pres të dal në fushë për të luajtur”. Sulmuesi ndoshta mund të mos aktivizohet menjëherë, megjithatë do të jetë një ndihmesë e madhe për Sarrin në përballjet vendimtare të sezonit, në kampionat dhe në Champions, po ashtu në Kupën e Italisë ku Napoli do të ndeshet me Juventusin. Sarri, për në Bolonjë, i ka të gjithë lojtarët në dispozicion, përfshi edhe Kulibalin që erdhi nga Kupa e Afrikës, ndërsa mungon vetëm Toneli.