Për Uzunin nis mallkimi i penalltive, por shpreson të mos jetë mallkim Championsi!

Jo vetëm këtë sezon, por edhe më parë nuk i kishte ndodhur kështu. Myrto Uzuni ka qenë vazhdimisht i suksesshëm në gjuajtjet e penalltive, siç e tregoi në Ligën e Kampionëve ndaj Zhalgirisit, dhe më pas në Superligën e Hungarisë kundër Mezokovezhdit, por ja që bëri një gabim që mund të kushtojë. Pas kaq shumë tentativave të suksesshme, sulmuesi shqiptar shpërdoroi një 11-metërsh pikërisht në një moment kulmor siç ishte ndeshja e parë e plej ofit në Champions në fushën e Jang Bojsit. Rezultati ishte 1-1, dhe zviceranët sapo kishin mbetur me 10 vetë, por papritur fati u kthye përmbys.

Uzuni goditi shtyllën nga 11 metra larg, goli i shënuar në vijim nga lojtari tjetër i Ferencvaroshit u anulua me të drejtë si i parregullt, ndërsa Jang Bojsi papritur u bë me krahë. Vendasit arritën epërsinë 3-1 edhe pse po luanin në inferioritet numerik dhe ëndrra e shqiptarit për të shkuar në grupet e Ligës së Kampionëve u duk se nuk do të realizohej. Gjithsesi, futbolli luhet deri në fund dhe Uzuni mori pjesë në aksionin e golit të dytë të Ferencvaroshit në minutat e fundit. Përfundoi 2-3, vërtet një humbje, por gjithsesi minimale dhe që jep shpresë për përmbysje pas një jave në Budapest.

Sfidanti.al