Gjoba s’i prish punë, por Firminos do t’i duhet një taksist!

Në vendet ku emancipimi është më i madh sesa lidhjet farefisnore apo shoqërore, ndodh që edhe një yll futbolli të dënohet për diçka që duket e vlefshme vetëm për “njerëzit e zakonshëm”. Ndryshe nga Greqia ku Oto Rehagel lejohej të drejtonte makinën personale në korsinë e autobusëve, Roberto Firmino nuk e pati këtë trajtim në Liverpul. Ylli brazilian nuk i impresionoi aspak gjykatësit që i hoqën patentën për 12 muaj, edhe pse është një nga lojtarët më të mirë të ekipit të Jurgen Klopit këtë sezon. Të kujton pak batutën e skeçit të Estradës së Shkodrës, “Kunati i shokut Xhemal”, ku roja i stadiumit i tha Zef Dedës “jeni kunati i shokut Xhemal? Epo mirë, shkoni shikojeni ndeshjen në majë të plepit”.

Firminos nuk do t’i duhet ndonjë plep, as ndonjë lloj peme tjetër, por një taksist besnik, pasi ai do të jetë pa patentë për plot 1 vit. Pikërisht në Vit të Ri, ai u ndalua nga policia në qendër të Liverpulit, u analizua fryma e tij dhe doli se kishte alkool në nivelin 46 mikrogram në 100 mililitra, nga 35 që është maksimumi i lejuar. Ai u gjobit edhe me 20 000 stërlina, por kjo nuk përbën problem për një profesionist të Premier Ligës që fiton 100 000 stërlina në javë. Ai dhe gruaja e tij e bukur, Larisa, besohet menjëherë kanë siguruar një numër taksisti për të mos mbetur keq.

Sfidanti.al