Njeriu i mbi 300 golave, kapiteni i lavdishëm, pati shansin që të shkëlqente edhe në një moshën mbi 40-vjeçare. Françesko Toti shënoi golin e fitores së Romës ndaj Çezenës, në minutën e shtatë shtesë duke i siguruar skuadrës dhe tifozëve, një derbi të madh ndaj Lacios, në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. U desh një 11-metërsh që numri 10 të arrinte në kuotën e 307 golave me Romën (plus gati 30 me kombëtaret e Italisë në të gjitha nivelet) dhe të mbetej në garë për të fituar kupën e tretë të Italisë në karrierë.
Përballja në “Olimpiko” doli shumë më e vështirë sesa mendohej, edhe pse Roma ishte tërësisht favorite ndaj një kundërshtari modest si Çezena. Gjithsesi, duhej të vinte minuta e 68-të që Edin Xheko ta kalonte në epërsi ekipin e trajnerit Luçiano Spaleti, por gëzimi zgjati vetëm 5 minuta pasi Luka Garritano barazoi për miqtë. Në fund, penalltia dhe Toti bënë diferencën.
Në ndeshjen e Serisë A, ndërkaq, Fiorentina përmbysi Peskarën, duke fituar 2-1 jashtë fushe. Rrjetës së Kaprarit për vendasit iu përgjigj dy herë ish-lojtari i Barcelonës, Kristian Tejo, dhe “vjollcët” e Paulo Souzës kanë tani 37 pikë, duke e zbritur Milanin në vendin e 8-të për shkak të golaverazhit.