Edhe pse fitoret kishin ardhur radhazi, diferenca fillestare ishte aq e madhe, saqë do të mjaftonte një gabim, për t’u ndjerë pasoja. Nuk ia thoshte kot ish-kampioni Rio Ferdinand, Pol Pogbasë që të mos mësonte mënyra festimi goli, por të shikonte renditjen e kampionatit ku Mançester Junajtid ishte vetëm i gjashti. Mbeti po i gjashti, por tani edhe më prapa nga rivalët. Në “Old Traford”, skuadra e Zhoze Murinjos arriti vetëm barazimin e tretë radhazi, 0-0 me Hull Sitin, duke shkuar kot 6 fitore radhazi.
Mëkat, sepse ishte një javë kur katërshja e parë (zona Champions) kishte humbur pikë, me barazimin në Liverpul-Çelsi, barazimin e Totenhemit dhe humbjen e Arsenalit. Për fat të keq, Runi, Ibrahimoviç apo Pogba nuk ishin në gjendje të thyenin rezistencën e miqve, dhe Liga e Kampionëve duket edhe më larg, ndonëse jo e paarritshme. Man. Junajtid ka 42 pikë kur duhen edhe 15 ndeshje për t’u luajtur.
Me përjashtim të Çelsit, ekipet e tjerë, megjithatë nuk janë shumë larg, edhe pse Mançester Siti arriti një fitore të thellë në fushën e Uest Hemit, pa Sergio Agueron dhe portierin Bravo, me golat e shënuar nga De Brujn, David Silva, Gabriel Zhezus dhe Jaja Ture me penallti. Këtë mbrëmje erdhi edhe goli i 100-të në Premier për Piter Krauçin në barazimin e Stouk Sitit ndaj Evertonit. Renditja: Çelsi 56, Totenhem 47, Arsenal 47, Liverpul 46, Man. Siti 46, Man. Junajtid 42.