Mesi “ia heq sërish veshin” Barcelonës, pushime me Luis Suarezin!

Një kunj, ndoshta indirekt, por mjaft i fortë për trajnerin e tij, Ronald Kuman. Të paktën, kështu mund të gjykohet veprimi i Lionel Mesit që vendosi të shkonte pak ditë me pushime në Ibica të Spanjës së bashku me Luis Suarezin. Dy futbollistët janë shokë të ngushtë, dhe tek Barcelona ndanin të njëjtën dhomë, e po ashtu edhe familjet e tyre janë mjaft të lidhura. Suarezi u largua verën e kaluar nga Kumani dhe nga klubi, duke u cilësuar jashtë planeve të trajnerit, por ai e mori revanshin e tij duke qenë shënuesi më i mirë i Atletikos së Madridit me të cilën u shpall kampion i Spanjës. Barcelona e Kumanit mbeti në vend të tretë. Natyrisht, nuk bëhet fjalë që katalanasit ta marrin sot Suarezin, edhe sepse nuk kanë para, por ndoshta edhe sepse uruguajani nuk do të pranonte. Gjithsesi, edhe pse me gjasë pa dashje, Mesi ia rikujton teknikut holandez pasojat e vendimit të tij.

Sfidanti.al