Trajneri Greg Popoviç është padyshim i lumtur edhe pse skuadra amerikane e basketbollit të meshkujve nuk e ka dominimin e dikurshëm, kur fitonte pa problem me 30 pikë diferencë me cilindo kundërshtar. Pas humbjeve ndaj Nigerisë e Argjentinës, gjithsesi, SHBA ka arritur fitore, dhe kjo e fundit ndaj Spanjës ishte më shpresëdhënëse, me shifrat 83-76, dhe ekipi i trajnerit Greg Popoviç u duk në formën e duhur për të fituar medaljen e artë olimpike në Tokio. Mungesa e të dëmtuarve Kevin Lov e Bredli Bil nuk i ndaloi yjet e tjerë të NBA-së që tregonin talentin e tyre, madje më shumë shkëlqeu i sapoardhuri Keldon Xhonson që shënoi 15 pikë. Në ekip janë Kevin Duranti, Damien Lilardi apo Drejmond Grini, ndërsa pas finaleve të NBA-së priten edhe Devin Bukeri i Feniksit dhe Midëlton e Holidei të Miluokit. Për Spanjën, që bëri figurë të mirë, lojtari më i dalluar ishte Riki Rubio me 23 pikë. Pau Gasol, sot 41 vjeç, shënoi 8 pikë, kapi 5 topa në tabela dhe shërbeu 2 asistë në 17 minuta lojë.
Sfidanti.al