Vetëm tenistja legjendare gjermane ia ka dalë të fitojë në një vit të vetëm 5 tituj të mëdhenj, pikërisht katër Grand Slemet dhe medaljen e artë olimpike. Kjo ndodhi në 1988, kur Stefi Graf fitoi në Australian Open, Rolan Garos, Uimbëlldon dhe US Open, si dhe në Lojrat Olimpike në Seul. Këtë gjë mund ta bëjë sot Novak Gjokoviçi për Serbinë dhe padyshim që do ta ketë më të lehtë, të paktën në Olimpiadë, pasi do të mungojnë dy rivalët e tij të mëdhenj. Rozher Federer lajmëroi tërheqjen nga Tokio për shkak të problemeve në gju, ndërsa u tërhoq më parë nga Rolan Garosi dhe u eleminua para kohe në Uimbëlldon. Rafael Nadal po ashtu ishte tërhequr më herët. Kjo do të thotë se numri 1 i botës mund të ketë më pak konkurrencë në Japoni për të fituar medaljen e artë olimpike, e më pas do t’i mbetej vetëm US Openi ku mund të jetë përballë Nadalit e Federerit. Nole ka fituar Australian Openin, Rolan Garosin dhe Uimbëlldonin.
Sfidanti.al