Milani në sulm, siguron Zhirunë dhe tenton austriakun Zabicer!

Ende nuk është një nga klubet më të fuqishëm në Itali, pasi Juventusi e Interi e lënë pas, e padyshim as në Europë. Ky i sotmi nuk është Milani i Berluskonit që nuk e kishte problem të merrte 3 holandezët e bashkë me ta Papenin, Bobanin e Saviçeviçin, por është një klub me kufizime në thesar, veçse dëshiron të jetë sërish i madh. Ka siguruar nga Çelsi sulmuesin francez, Olivie Zhiru, që nuk është aspak i keq për Serinë A, edhe pse në Londër mbetet shpesh në stol. Veterani 34-vjeçar vjen me parametër zero, por duhet një zëvendësues për Çalhanoglunë dhe ky mund të jetë Marsel Zabicer (Sabitzer) i Lajpcigut. Kontrata e austriakut përfundon në 2022 dhe kartoni kushton 50 milionë euro, por mund të bëhet edhe për 25-30 milionë, meqë i ka mbetur edhe një vit. Problemi më i madh është konkurrenca nga Dortmundi në Bundesligë dhe sidomos nga Totenhemi në Angli.

Sfidanti.al