Rozher Federer ndoshta nuk e priste një mbërritje të tillë në tokën e tij. Tenisti zviceran, i suksesshëm gjatë pjesës më të madhe të karrierës, u habit kur zbriti nga avioni në Aeroportin Ndërkombëtar të Zyrihut dhe vuri re një numër shumë të madh njerëzish që prisnin. Ata ishin aty për të. Shtatëmbëdhjetë trofetë e mëparshëm Grand Slem nuk iu dukën tifozëve aq të mëdhenj dhe aq të dashur sa ky i 18-ti, dhe padyshim ata kishin të drejtë.
Ish-nurmi 1 i botës, dhe rekordmeni i trofeve të tillë, e fitoi Australian Openin 2017 në moshën 35-vjeçare, periudhë e jetës kur shumica e sportistëve ose e kanë lënë sportin, ose janë në metrat e fundit. Federer u brohorit dhe u rrethua me dashuri nga tifozët e shumtë, duke nënshkruar autografe dhe duke bërë fotografi me ta. Zvicerani ishte, ashtu siç pritej, i gëzuar dhe i lumtur, ndërsa finalja në Melburn u fitua pas gati 4 orësh lojë, me rezultatin 3-2 ndaj rivalit të tij më të madh të karrierës, Rafael Nadal.