Polemikat për penalltinë e Anglisë, gjithë Europa thotë se nuk ishte!

Ishte apo nuk ishte penallti? Një ndeshje e tërë prej 120 minutash përmblidhet në një moment të vetëm, kur gjyqtari Dani Makelie drejtoi gishtin tek pika e bardhë. Rahim Stërling u rrëzua në zonë, dhe VAR konfirmoi. Harri Kejn shënoi pasi portieri i Danimarkës e ndaloi gjuajtjen e parë, dhe ky gol ndihmoi Anglinë të kualifikohej në një finale të madhe për herë të parë pas 55 vjetësh. Do të jetë Angli-Itali ndeshja për titull në Euro 2020.

“Në asnjë mënyrë nuk ishte penallti, – tha Zhoze Murinjo nga Roma, – Anglia ishte me fat, unë ndihem i zhgënjyer dhe VAR-i duhej ta kishte anuluar. Gjithsesi, Anglia luajti më mirë dhe e meritoi”. “Arbitri bëri një gabim të madh që e dha penalltinë, – tha legjenda e Danimarkës, Peter Shmajkel, – të gjithë po thonë se ajo nuk ishte penallti. Anglia mund të kishte shënuar gol me rastet e shumta që pati, por jo me atë vendim”.

Ish-mbrojtësi i Anglisë dhe i Mançester Junajtidit, Geri Nevil, e pranoi për “Skaj Sportin” se penalltia ishte tepër e dyshimtë, por theksoi se është shumë i lumtur për kualifikimin në finale, dhe se nuk ka ndërmend ta vrasë mendjen për këtë gjë.

Trajneri i Danimarkës, Kasper Hjulmand, nuk e fshehu hidhërimin dhe zemërimin e tij. “Ishte një penallti që nuk duhej të kishte ekzistuar, – protestoi tekniku danez, – edhe tani jam shumë i zemëruar, shumë i zhgënjyer. Nuk mund të jepen vendime të tilla që kanë kaq shumë ndikim në ndeshje. Mund të ndodhësh që të humbësh, por jo në këtë mënyrë. Gjithsesi, ne do ta kalojmë këtë moment”.

Trajneri i Anglisë, Garet Sauthgejt, bëri një analizë të ndeshjes dhe jo vetëm të penalltisë, dhe pati të drejtë. Skuadra e tij e meritoi kalimin për në finale për lojën që zhvilloi, duke mbajtur topin 58 për qind, e duke pasur dyfishin e gjuajtjeve. Gjithsesi, edhe ai nuk pati mendim tjetër për 11-metërshin.

“Gjithnjë kam menduar se do të kishim një pengesë, ndërsa na shkoi shumë mbarë gjatë fazës pas grupeve, – tha ai, – Danimarka e tregoi veten sërish një skuadër të madhe. E veçantë për grupin tonë të lojtarëve është se ata kanë gjetur gjithnjë mënyrën për të fituar, nuk u trembën nga momenti i vështirë, qendruan të fortë dhe ia dolën. Sa për penalltinë, e kuptoj që ishte e dyshimtë”.

Danimarka kaloi e para në epërsi në “Uembli” të Londrës me golin e shkëlqyer sulmuesit Damsgard, në prani të 66 000 tifozëve, nga të cilët 8 000 ishin danezë. Anglia reagoi shpejt dhe barazoi brenda pjesës së parë me autogolin e mbrojtësit Kjer, por u desh të priste kohën shtesë për të marrë dhuratën nga arbitri holandez e për t’u kualifikuar.

Sfidanti.al