Muzaka i mbetet futbollit prej Skënderbeut dhe … Ilir Dajës!

Gjergji Muzaka vërtet që mund ta kishte mbyllur me futbollin. Një nga lojtarët më të talentuar të 15 viteve në “topkëmbën” shqiptare, më në fund pa një derë hapur, ku mundi të hynte dhe të hidhte në trup sërish një fanelë. Një thirrje nga Skënderbeu, dy ditë përpara mbylljes së afatit të transferimeve edhe në Shqipëri, bëri që Muzaka të bindej për të mbajtur veshur këpucët e tij me taka. Vetëm pak ditë pas fitimit të gjyqit në Federatë, me Tiranën, ai tani është lojtar i kampionëve.

“Nëse nuk do të isha bërë pjesë e Skënderbeut, do të kishte qenë vështirë të gjeja motivim për të luajtur për një ekip tjetër, – tha ai, – më vjen mirë se pjesa më e madhe e lojtarëve janë ata që kanë qenë kur isha këtu herën e kaluar, presidenti është po ai, ndërsa trajneri është ai me të cilin kam qenë tek Tirana”. Futbollisti që ka mbajtur vazhdimisht në shpinë numrin 17, theksoi se “doja ta mbyllja karrierën tek Tirana, kështu mendova kur nënshkrova kontratën 2 vjet më parë, por ashtu si erdhën punët, ishte e pashmangshme që të largohesha”.

Trajneri Daja pohoi se Muzaka nuk do të ishte tek skuadra e tij si lojtar stoli. “Nuk e kam konsideruar kurrë si të tillë, – ishin fjalët e tij, – kur ka luajtur pak, ka qenë sepse ishte i dëmtuar. Nëse është në formë, mund të luajë gjithnjë”.

Sfidanti.al